@dritanalsela
Dritan AlselaËshtë një fakt historik i rëndësishëm që në fund të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri ndodheshin më shumë hebrenj sesa para luftës. Është gjithashtu e vërtetë se shqiptarët nuk i dorëzuan hebrenjtë tek pushtuesit gjermanë dhe se shumë familje shqiptare i strehuan dhe i ndihmuan. Kjo është një pjesë e historisë sonë për të cilën kemi të drejtë të jemi krenarë. Por pyetja është nëse historia që tregohet sot nga politika është e plotë. Kryeministri Edi Rama dhe figura të tjera publike e kanë paraqitur vazhdimisht Shqipërinë si një rast pothuajse unik, ku myslimanë dhe të krishterë, të udhëhequr nga Besa dhe tradita shqiptare e mikpritjes, shpëtuan hebrenjtë nga Holokausti. Historiani Marenglen Kasmi jep një tablo më komplekse. Ai nuk e mohon Besën, mikpritjen apo ndihmën e shqiptarëve. Përkundrazi, i konsideron ato pjesë të shpjegimit. Por sipas tij, një faktor vendimtar ishte edhe fakti se Gestapo nuk ndërtoi në Shqipëri strukturat sistematike të përndjekjes së hebrenjve që ekzistonin në vende të tjera të pushtuara. Gjermanët kishin prioritete të tjera ushtarake, ndërsa edhe qeveria dhe spektri politik shqiptar nuk treguan vullnet për të bashkëpunuar në përndjekjen e tyre. Pra, hebrenjtë në Shqipëri u shpëtuan nga një kombinim faktorësh: nga shqiptarët që i strehuan dhe nuk i dorëzuan, nga qëndrimi i strukturave shqiptare, por edhe nga rrethanat konkrete të pushtimit gjerman. Kjo nuk e zvogëlon atë që kanë bërë shqiptarët. Përkundrazi, e vendos atë në kontekstin e vërtetë historik. Problemi fillon kur një histori komplekse kthehet në një legjendë politike ku ne paraqitemi si shpëtimtarët unikë të hebrenjve. Historia nuk ka nevojë të zbukurohet që ne të jemi krenarë për të. Dhe pikërisht këtu lind pyetja që ngre ky video: pse sot politika shqiptare ka kaq shumë nevojë ta paraqesë këtë histori në këtë mënyrë? Kujt i shërben kjo narrativë? Shqipëria nuk ka nevojë të shpikë heroizma. Ka nevojë të njohë historinë e saj, me të mirat dhe të këqijat e saj, dhe mbi të gjitha të ndërtojë një shtet që u shërben shqiptarëve. Të jemi krenarë për atë që kemi bërë. Por të mos pretendojmë se kemi bërë atë që historia nuk e vërteton.
On the profile · Sep 15, 2026