@dritanalsela
Dritan AlselaKUR KRYEMINISTRI FLET SI KUMBARI Pas përplasjes së armatosur mes dy grupeve të lidhura me një konflikt pronësie në zonën e Vlorës, ajo që më shqetësoi më shumë ishte gjuha e kryeministrit Edi Rama. Në vend që të dëgjonim për hetimin, prokurorinë, gjykatën dhe përgjegjësinë penale, dëgjuam për një “mesazh të qartë”, për njerëz që “duhet të bëhen shembull”, për një “vijë të kuqe” dhe, menjëherë më pas, fjalët: “Ne kemi vendosur ta shpronësojmë”. Pikërisht këtu lind pyetja ime: kush duhet t’i zgjidhë konfliktet në Shqipëri — institucionet e drejtësisë apo Kryeministri? Në një shtet ligjor, 15 njerëz të armatosur, kërcënimet për miliona euro dhe një konflikt pronësie hetohen deri në fund. Nuk përdoren nga kreu i qeverisë për t’u dhënë “mesazh” të gjithë të tjerëve dhe për të bërë dikë “shembull”. Mua, personalisht, kjo retorikë më kujton më shumë gjuhën e Kumbarit: punoni, investoni, fitoni, por mos bëni zhurmë dhe mos kaloni vijën e kuqe. Pastaj, në fund, vjen edhe simbolika e ullirit dhe “territorit të paqes”. Ndoshta interpretimi im është i gabuar. Prandaj në video kam lënë të flasë vetë Edi Rama. Dëgjojeni dhe gjykoni vetë: është kjo gjuha e një shteti ligjor apo gjuha e Kumbarit?
On the profile · Sep 5, 2026